Niveli i manganit rritet në ujin e Badocit, qytetarët paralajmërohen të mos e përdorin për pije

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar sot për rritje të nivelit të manganit në mostrat e ujit të zonës që furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Sipas njoftimit, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit të bërë më 1 shtator 2025, ka vërejtur tejkalim të kufijve të lejuar sipas Udhëzimit Administrativ për cilësinë e ujit të pijshëm.
Analizat e fundit tregojnë se përqendrimi i manganit është në rritje, si në vetë liqenin ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera nuk e kanë kaluar ende standardin shëndetësor që konsiderohet i rrezikshëm për njeriun, IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Badoc të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të ri.
“Bëhet fjalë për ndotje kimike dhe vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim dhe higjienë personale, por jo për konsum,” thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se ka ndërmarrë disa masa urgjente, përfshirë zvogëlimin e prodhimit të ujit dhe shpëlarjen e rrjetit shpërndarës. Për zonat e prekura, kompania ka paralajmëruar se do të sigurojë ujë të pijshëm përmes autoboteve, sipas një orari të caktuar.
IKSHPK ka theksuar se do të vazhdojë monitorimin e situatës në bashkëpunim të ngushtë me KRU “Prishtina” për të garantuar furnizimin me ujë të sigurt për qytetarët.