KFOR dhe autoritetet kosovare inspektojnë ish-fabrikën “GC Metals” në Lipjan për materiale toksike

Ushtarët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje dhe Perëndim, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Policinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, kanë zhvilluar një inspektim tremujor të materialeve toksike industriale në ish-fabrikën “GC Metals” në Lipjan.
Ky inspektim synon monitorimin e objekteve të braktisura industriale dhe ndihmon autoritetet lokale në reduktimin e rreziqeve kimike dhe radiologjike për qytetarët.
“Këto aktivitete nënvizojnë përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në rajon”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në Facebook.
KFOR thekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme. Misioni punon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili brenda rolit të vet si reagues i sigurisë.