Mot i kthjellët sot, rritje e temperaturave nesër, të mërkurën front i ftohtë ajror

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira lokale. Në Rrafshin e Kosovës do të jetë më freskët, me temperatura maksimale deri në 25 gradë Celsius, ndërsa në Dukagjin do të arrijnë deri në 28 gradë Celsius.
Edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi e hëna do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët. Vranësira më të theksuara dhe temperaturat pak më të ulëta do të shfaqen vetëm në zonat kontinentale lindore të rajonit.
Të martën, pas një mëngjesi mjaft të freskët, pritet rritje rapide e temperaturave. Në Kosovë ato do të ngjiten deri në 32 gradë Celsius, ndërsa nxehtësi do të përfshijë tërë rajonin gjatë mesditës dhe pasdites.
Të mërkurën, një front i ftohtë ajror do të depërtojë mbi Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke sjellë ulje të temperaturave. Reshje nuk priten të jenë të konsiderueshme, ndërsa Shqipëria do të mbetet pothuajse e pandikuar nga ky sistem.