Analisti amerikan Edward P. Joseph komenton pezullimin e Dialogut Strategjik SHBA–Kosovë

Analisti dhe profesori amerikan, Edward P. Joseph, i njohur për ekspertizën e tij mbi Ballkanin Perëndimor, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën.
Në një postim në rrjetet sociale, Joseph ka theksuar se ky hap dëshmon vëmendjen e administratës amerikane ndaj zhvillimeve në rajon.
“Kush po thotë që Administrata s’po merret fare me Ballkanin?”, shkroi ai, duke shpërndarë deklaratën e së premtes të Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Një ditë më parë, Ambasada e SHBA-së njoftoi se Dialogu Strategjik i planifikuar me Kosovën është pezulluar për një kohë të pacaktuar. Si arsye u përmendën veprimet e qeverisë në detyrë, të cilat sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e palëve për të punuar në mënyrë produktive mbi prioritetet e përbashkëta.