Fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, 93 subjekte politike garojnë

Për herë të dytë brenda këtij viti, partitë dhe subjektet politike në Kosovë kanë nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor. Kjo do të zgjedhen 38 kryetarë komunash dhe 942 anëtarë të kuvendeve komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në garë janë 93 subjekte politike me mbi 5,600 kandidatë, përfshirë 33 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Vetëm për kryetarë komunash janë regjistruar 206 kandidatë, ndërsa për kuvendet komunale mbi 5,400.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit gjatë fushatës, duke nënvizuar se janë të ndaluara pengesat ndaj fushatës së kundërshtarit, kërcënimet dhe dhuna. “Fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje dhe frikësime,” tha Elezi.
Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte shqiptuar gjoba në vlerë prej 651 mijë eurosh ndaj subjekteve që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes.
KQZ do të angazhojë monitorues për të ndjekur takimet, fushatat reklamuese dhe materialet promovuese nëpër komuna. Ndërkohë, 46,015 qytetarë të Kosovës që jetojnë në 46 shtete të ndryshme do të mund të votojnë përmes postës.
Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën një ditë para fillimit zyrtar, një veprim që po konsiderohet shkelje ligjore nga njohës të proceseve zgjedhore. Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, dhe eksperti i Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, kanë theksuar se partitë duhet të respektojnë afatet e përcaktuara nga KQZ.