Fundjava me mot të nxehtë, të hënën freskohet me reshje shiu

Kosova pritet të përballet me një fundjavë të ngrohtë, ku temperaturat do të ngjiten deri në 30°C, ndërsa fillimi i javës do të sjellë një rënie të ndjeshme të tyre dhe reshje shiu.
Sipas parashikimeve, të shtunën do të mbajë mot kryesisht me diell. Në mëngjes, përgjatë luginave të lumenjve priten kushte për mjegull ose mjegullinë. Temperaturat minimale do të zbresin në 12°C deri 15°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 28°C deri në 30°C. Erërat do të fryjnë të lehta e mesatare nga jugu dhe juglindja me shpejtësi 2–6 m/s.
Të dielën moti do të vijojë i ngrohtë, por në mbrëmje vranësirat do të shtohen. Kalimi i një sistemi frontal do të sjellë reshje gjatë mëngjesit të ditës së hënë, kur temperaturat do të pësojnë rënie duke zbritur në 23°C deri 25°C. Erërat të dielën do të jenë mesatare nga jugperëndimi, 5–10 m/s, ndërsa të hënën do të ndryshojnë drejtim në verilindore, duke arritur me hove deri në 15 m/s.
Nga dita e hënë, pritet stabilizim i motit, me kthjellime dhe diell. Temperaturat minimale do të zbresin në 9°C e 10°C, ndërsa ato maksimale do të rriten gradualisht deri në 27°C.