BE zgjat për gjashtë muaj sanksionet ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë

Bashkimi Europian ka miratuar të premten një zgjatje prej gjashtë muajsh të sanksioneve ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me luftën ruse në Ukrainë. Vendimi u mor pas një takimi të shteteve anëtare, ndërsa Danimarka, që mban presidencën e rotacionit të bllokut, e bëri publik lajmin përmes një postimi në rrjetin social X.
Sanksionet aktuale përfshijnë ngrirjen e llogarive bankare dhe ndalimin e udhëtimeve për individët dhe organizatat që mbështesin agresionin rus. Deri tani, mbi 2,500 individë dhe entitete janë përfshirë në listë.
Zgjatja u miratua pa ndryshime të mëdha politike, pasi diplomatët theksojnë se nuk ka pasur kërkesa për heqjen e ndonjë personi nga lista, ndonëse në të kaluarën Hungaria shpesh ka kundërshtuar disa emra.
Me këtë vendim, BE synon të rrisë presionin ndaj Moskës që të ndalojë agresionin dhe të respektojë integritetin territorial të Ukrainës, ndërkohë që blloku vazhdon të ofrojë përkrahje të plotë për Kievin në luftën për mbijetesë.