Rritje e çmimeve të konsumit në Kosovë: Energji, ushqime dhe pushime më të shtrenjta

Kosova ka shënuar një rritje mesatare prej 4,5% të çmimeve të konsumit në gusht 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Ndërkaq, inflacioni mujor në gusht ishte 0,5%, krahasuar me korrikun 2025.
Sipas ASK-së, energjia elektrike dhe pushimet e organizuara kanë pasur rritjen më të madhe, me 17,1% secili. Çmimet e kafesë, çajit dhe kakao-s u rritën me 16,7%, pemët me 16,6%, ndërsa mishi shënoi një ngritje prej 12,4%.
Rritje të ndjeshme pati edhe te:
Mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (10,7%)
Shërbimet hoteliere (8,2%)
Qumështi, djathi dhe vezët (8,2%)
Perimet (9,7%)
Vajrat dhe yndyrnat (8,6%)
Nga ana tjetër, çmimet e disa produkteve dhe shërbimeve kanë pësuar ulje. Veçanërisht:
Biletat e fluturimeve (-7,8%)
Lëndët djegëse të ngurta si dru zjarri dhe pelet (-4,1%)
Karburantet dhe lubrifikantët për automjetet (-3,2%)
ASK njofton se rritja mujore e gushtit është kryesisht për shkak të grupit të biletave të fluturimeve, qumështit, djathit dhe vezëve, perimeve dhe karburanteve, me një ndikim të përbashkët prej 0,5% në indeksin e çmimeve.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se konsumatorët duhet të përgatiten për një periudhë ku çmimet e energjisë dhe ushqimeve mund të vazhdojnë të jenë të larta.