SBASHK-u kërkon rritje pagash dhe kushte më të mira në shkolla, nuk përjashtohet greva

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se ndër kërkesat kryesore të SBASHK-ut mbetet rritja e pagave për mësimdhënësit, përmirësimi i kushteve në shkolla dhe sigurimi i teksteve shkollore me kohë.
Ai theksoi se Sindikata është e gatshme për dialog me Qeverinë, por nuk e përjashton as mundësinë e grevës nëse nuk arrihet marrëveshje.
“Dialog nuk kemi me kë, nuk kemi as qeveri. Fillimisht duhet provuar me dialog, e nëse nuk ka rezultat, atëherë me veprime sindikale. SBASHK-u është i përgatitur për të dyja,” tha Jasharaj për Ekonomia Online.
Sipas tij, urgjenca më e madhe është nënshkrimi i kontratës kolektive, e cila, siç shpjegoi ai, nuk ekziston aktualisht në sektorin e arsimit, ndonëse ligji e parasheh për çdo tre vjet.
“Jemi ndër rastet e rralla në Kosovë ku nuk ka as marrëveshje kolektive, as dialog e as kontratë kolektive,” shtoi ai.
Jasharaj po ashtu kërkoi që institucionet të angazhohen për modernizimin e shkollave dhe sigurimin e kushteve të denja për shekullin XXI.
“Është normale që do të kërkojmë paga më të mëdha, sepse kemi mbetur prapa me kolegët në Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri. Nuk mund të kemi rezultate me kushte të shekujve të kaluar, me shpuza e shkumësa,” u shpreh ai.
Kreu i SBASHK-ut insistoi që tekstet shkollore të sigurohen në kohë dhe librat e rinj të jenë të gatshëm për nxënësit që nga dita e parë e vitit të ri shkollor.
“Nëse nuk kemi laptop për nxënësit, të paktën të kemi libra të rinj për të gjithë,” përfundoi Jasharaj.