Pensionistët në Kosovë mes bukës dhe barnave – kërkojnë pension minimal prej 400 eurosh

Pensionistët në Kosovë po përballen me një situatë gjithnjë e më të rëndë ekonomike dhe sociale. Me një pension minimal prej vetëm 120 eurosh, mijëra të moshuar janë të detyruar të zgjedhin mes ushqimit dhe barnave, pasi këto të ardhura nuk mbulojnë as nevojat më elementare të jetesës.
Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, në një prononcim për FrontOnline, e ka përshkruar gjendjen si “të tmerrshme”.
“Vetëm një shujtë ditore mund të hahet me këtë pension. Po flas për pensionistët bazikë, disa e kanë pak më të lartë, por prapë është shumë pak,” tha ai, duke theksuar se shumica e të moshuarve nuk kanë mundësi të blejnë as barnat esenciale.
Kastrati kritikoi qeverinë për mungesë vullneti dhe veprimi konkret në adresimin e kësaj krize sociale.
“Kjo qeveri që ka qenë nuk është për t’u lavdëruar, nuk ka bërë asgjë për pensionistët,” u shpreh ai.
Sipas tij, një pension prej së paku 400 eurosh në muaj do të ishte minimumi i nevojshëm për një jetë me dinjitet – jo për luks, por për mbijetesë.
“400 euro do të ishin të domosdoshme për mbijetesë për pensionistët, jo për luks. 120 euro veç një shujtë siguron. S’ka as barna, as asgjë. Po të mos kishin pasardhës, shumë pensionistë do të vdisnin nga kushtet,” deklaroi Kastrati.