Ambasada gjermane në Sarajevë e quan të papranueshme gjuhën e Dodikut ndaj Christian Schmidt-it

Ambasada gjermane në Sarajevë ka reaguar të enjten ndaj deklaratave të ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, të bëra gjatë vizitës së tij në Moskë, duke i cilësuar ato si “të papranueshme dhe fyese”.
Dodik, i cili u takua të martën me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e kishte përqendruar fjalimin e tij kryesisht ndaj përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt. Ai tha se Perëndimi po imponon vendime përmes tij dhe se Republika Sërpska mbetet e përkushtuar vetëm ndaj “shkronjës së Marrëveshjes së Dejtonit”.
Ambasada gjermane u bëri thirrje aktorëve politikë në Bosnje që të distancohen nga retorika e Dodikut dhe të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare “në mënyrë të denjë”.
Në reagim, Ambasada kujtoi se Schmidt është propozuar nga Gjermania dhe është zgjedhur nga Bordi Drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas saj, kompetencat e përfaqësuesit të lartë burojnë nga Marrëveshja e Dejtonit dhe janë konfirmuar vazhdimisht nga OKB-ja që nga viti 1998.
Muajin e kaluar, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës i hoqi mandatin Dodikut pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, që la në fuqi dënimin e tij me një vit burg dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për gjashtë vjet, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Schmidt-it.
/REL/