Mbretëri e Bashkuar: Dyfishohen licencat e revokuara për sjelljen e punëtorëve migrantë

Numri i licencave që u lejonin kompanive në Mbretërinë e Bashkuar të sillnin punëtorë migrantë është dyfishuar gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Brendshme.
Nga qershori 2024 deri në qershor 2025, u revokuan 1,948 licenca – më shumë se dy herë krahasuar me 937 licenca të anuluara një vit më parë. Autoritetet thonë se vendimet u morën për shkak të abuzimeve me sistemin e imigracionit, përfshirë pagat e ulëta, shfrytëzimin e punëtorëve, mosdhënien e punës së premtuar dhe ndihmën për të anashkaluar rregullat e vizave.
Sektori i kujdesit social për të rriturit, mikpritja, shitja me pakicë dhe ndërtimi janë renditur si ndër shkelësit më të mëdhenj.
Ministri i Migracionit, Mike Tapp, tha për BBC se një pjesë e madhe e kërkesave për azil dhe migrantëve të paligjshëm lidhet me persona që kanë tejkaluar vizën e qëndrimit, ndërsa disa punëdhënës po e “mashtrojnë sistemin duke punësuar njerëz kur nuk duhet”.
Qeveria britanike argumenton se masat tregojnë “veprime të vërteta për të siguruar kufijtë”, por opozita konservatore akuzoi ministrat se po “mendonin rreth skajeve” dhe nuk kishin një strategji serioze për uljen e numrit të migrantëve.
Sipas Ministrisë së Brendshme, një ndarje më e mirë e të dhënave me policinë ka bërë që më shumë kompani të kapen duke shkelur ligjin. Përveç revokimit të licencave, autoritetet paralajmërojnë se do të zgjerojnë sanksionet, përfshirë gjoba të rënda dhe mbyllje biznesesh.
Ndërkohë, disa kompani thonë se varen nga punëtorët emigrantë dhe ndëshkimet rrezikojnë jo vetëm aktivitetin e tyre, por edhe vendet e punës të migrantëve.
Ky është një nga njoftimet e para nën drejtimin e sekretares së re të Brendshme, Shabana Mahmood, e cila ka paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar mund të pezullojë vizat nga vendet që nuk bashkëpunojnë për kthimin e migrantëve pa të drejtë qëndrimi.