Aksion policor në Veri: Sekuestrime të shumta, një i arrestuar

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut ka rezultuar me bastisje në disa lokacione, ku janë sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Si rezultat i operacionit, një person është arrestuar, ndërsa në një tjetër rast është identifikuar një i dyshuar.
Në lagjen Korile të Zveçanit, Policia ka kontrolluar një shtëpi banimi, ku pronari kishte deklaruar se posedonte dy armë me leje të UNMIK-ut, të cilat i kishte transferuar në Serbi. Gjatë kontrollit u gjet një sasi e vogël municioni, ndërsa më pas u kryen bastisje shtesë në objektet përcjellëse të të dyshuarit, bazuar në nenin 108 të Kodit të Procedurës Penale, që lejon veprime urgjente pa urdhër gjykate.
Nga kontrolli u sekuestruan një armë e gjatë e çmontuar, karikatorë, mbi 700 fishekë të kalibrave të ndryshëm, makineri për mbushje municioni, detonatorë elektrikë e mekanikë, pajisje për matjen e distancës, thika dhe pjesë shtesë për armë të gjata.
I dyshuari S.G., 73 vjeç, është arrestuar dhe pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në një rast tjetër, të identifikuar si Rasti VI, Policia ka kontrolluar një shtëpi në rrugën “Prote Stojana” në Zveçan, ku u gjetën një pushkë gjuetie, municion dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Në këtë rast nuk pati arrestime, por autoritetet janë në kërkim të një personi të dyshuar për t’u intervistuar.
Policia ka bërë të ditur se për të dy rastet është hapur procedurë penale për posedim të paautorizuar të armëve.