Dogana e Kosovës ndalon mbi 30 mijë produkte të falsifikuara në Prishtinë

Zyra Doganore në Prishtinë ka realizuar disa aksione të suksesshme duke ndaluar futjen në treg të mallrave të falsifikuara, të cilat rrezikonin shëndetin e konsumatorëve dhe dëmtonin ekonominë vendore.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të detajuara janë konfiskuar produkte të ndryshme të dyshuara si pirate, ndërsa ndaj subjekteve importuese janë inicuar procedura ndëshkimore kundërvajtëse. Mallrat e ndaluara do t’i nënshtrohen asgjësimit.
Në mesin e rasteve të evidentuara janë:
TAFT – 3 mijë preparate për flokë të importuara nga Kina.
BMW, Audi, Mercedes, VW – 7 mijë e 200 aksesorë të ndryshëm të falsifikuar.
Areon – 9 mijë aroma për vetura, të dyshuara si kopje joautentike.
Louis Vuitton, Gucci, Chanel – 944 copë bizhuteri luksoze të falsifikuara, të importuara nga Kina.
COS – 623 copë farmerka të ardhura nga Turqia.
Reebok – 3 mijë e 700 veshje tekstili të importuara nga Kina.
Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në luftën kundër tregtisë me mallra pirate, duke mbrojtur konsumatorët, bizneset e ndershme dhe shoqërinë nga pasojat negative të kësaj dukurie.