Kjo javë me mot të paqëndrueshëm në Kosovë: Nga e enjtja rikthehen reshjet e shiut

Kosova do të përballet me kushte të ndryshueshme meteorologjike gjatë kësaj jave. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tri ditët e para pritet të jenë kryesisht stabile, me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa nga dita e enjte rikthehen reshjet e shiut.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë nga 25 deri në 32 gradë Celsius.
Parashikimi për ditët në vijim:
E hënë: Diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat 10–14°C, maksimalet 25–31°C. Era nga veriperëndimi, e lehtë deri mesatare.
E martë: Mot i ngjashëm, me diell dhe vranësira të pjesshme. Temperaturat 11–14°C, maksimalet 27–32°C. Era nga veriperëndimi, 1–4 m/s.
E mërkurë: Kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat 10–13°C, maksimalet 27–32°C. Era veriperëndimore, herë pas here e fortë.
E enjte: Mëngjes me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa pasdite priten riga lokale shiu. Temperaturat 11–15°C, maksimalet 27–31°C. Era nga verilindja, 1–8 m/s.
E premte: Diell dhe vranësira të shpërndara, me reshje shiu gjatë ditës. Temperaturat 10–13°C, maksimalet 24–27°C. Era nga jugperëndimi, e lehtë deri mesatare.
Instituti thekson se javës do t’i mungojë stabiliteti i plotë meteorologjik, me ndryshime të shpejta në kushte atmosferike, sidomos në fundjavë.