
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Financave për shtyrjen e afatit ligjor për miratimin e buxheteve komunale për vitin 2026, duke arsyetuar se fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit mund të pengojë procesin.
Ligji në Kosovë përcakton që komunat duhet të miratojnë buxhetin deri më 30 shtator për vitin e ardhshëm fiskal dhe ta dorëzojnë atë në Ministrinë e Financave. Nëse ky afat nuk respektohet, Ministria e Financave harton vetë buxhetin për komunat, bazuar zakonisht në shifrat e vitit paraprak.
Asociacioni ka argumentuar se shumica e anëtarëve të kuvendeve komunale janë të angazhuar në fushata dhe se do të ishte më funksionale që buxhetet të miratohen pas konstituimit të kuvendeve të reja.
Mosmiratimi i buxhetit në kohë ka shkaktuar më parë probleme financiare për disa komuna, si Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku, të cilat kanë miratuar me vonesë buxhetet për vitin 2025.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të garojnë 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale. Për 38 komunat janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votimi me postë për mbi 260 mijë shtetas kosovarë që jetojnë jashtë vendit do të nisë më 17 shtator. Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021, ku Partia Demokratike e Kosovës fitoi më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.