Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj për mashtrime dhe shpëlarje parash në Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj për lëshim të çeqeve pa mbulesë, keqpërdorim të kartelave bankare dhe shpëlarje parash.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit janë tre shtetas të Republikës së Turqisë dhe një shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut: A.S., A.S., S.O. nga Turqia dhe S.E. nga Maqedonia e Veriut. Ata akuzohen se nga data 11 nëntor 2024 deri më 20 shkurt 2025, kanë regjistruar biznese dhe llogari bankare në emër të tyre, duke keqpërdorur qindra kartela bankare ndërkombëtare dhe duke realizuar dobi të kundërligjshme në vlerë prej 372,900.42 eurosh.
Prokuroria thekson se paratë e fituara nga aktiviteti kriminal janë tërhequr nga ATM-të dhe janë transferuar jashtë Kosovës, përkatësisht në Turqi, duke kryer kështu veprën penale të shpëlarjes së parave, në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Të pandehurit aktualisht ndodhen në paraburgim, ndërsa Prokuroria ka propozuar vazhdimin e kësaj mase për kohë të pacaktuar.