Bota

SHBA shpall masat e reja ndaj shteteve që mbajnë padrejtësisht amerikanë si “sponsore të terrorizmit”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon shpalljen e shteteve që mbajnë padrejtësisht shtetas amerikanë si sponsore shtetërore të terrorizmit. Mes vendeve të përfshira janë Irani, Afganistani, Rusia dhe Kina.

Sipas zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, Uashingtoni do të shënjestrojë jo vetëm shtetet që mbajnë amerikanë pa të drejtë, por edhe ato që përfshihen në praktikën e “diplomacisë së pengjeve”.

“Sikurse me listën e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit, asnjë shtet nuk do të ketë dëshirë të përfundojë në këtë listë,” deklaroi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Urdhri ekzekutiv parashikon masa të ashpra, përfshirë sanksione ekonomike dhe diplomatike, të ngjashme me ato që përdoren ndaj organizatave të shpallura terroriste. Një zyrtar i administratës, duke folur në kushte anonimiteti, tha se “sot ndryshon gjithçka sa i përket regjimeve mashtruese dhe atyre që mendojnë se amerikanët mund të trajtohen si pengje.”

Administrata amerikane raportoi gjithashtu lirimin e 72 shtetasve amerikanë nga vende si Rusia dhe Afganistani. Presidenti Trump njoftoi: “Kemi nxjerrë shumë njerëz dhe do të vazhdojmë.”

Sipas politikës së re, shtetet që rrezikojnë të përfundojnë në listë do të paralajmërohen paraprakisht dhe do të kenë një periudhë kohore për të vepruar para vendosjes së sanksioneve. Zyrtarët amerikanë besojnë se Rusia po mban padrejtësisht nëntë amerikanë, ndërsa Irani tetë.

Rusia aktualisht është nën sanksione amerikane dhe evropiane për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, ndërsa Irani është shpallur prej kohësh shtet sponsor i terrorizmit dhe po ashtu është nën sanksione.

Vendimi i administratës Trump është mirëpritur nga organizatat që lobojnë për lirimin e shtetasve amerikanë të mbajtur si pengje nëpër botë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button