Meshë solemne në Prishtinë për 9-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës

Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në kryeqytet, sot është mbajtur një meshë solemne në nder të shenjtores shqiptare, në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj.
Ceremonia mblodhi besimtarë të shumtë dhe dashamirë të kauzës së Nënë Terezës, ku u lexuan vargje nga Bibla dhe u kënduan këngë në kor në lavdi të shenjtores.
Ipeshkvi Dodë Gjergji vlerësoi praninë e të Dërguarit të Posaçëm të Atit të Shenjtë për Kosovën, Luigj Bardhit, i cili mori pjesë në meshë.
“Në përvjetorin e shugurimit të kësaj kishe, kemi nderin të presim të Dërguarin e Posaçëm të Atit të Shenjtë, Luigj Bardhin. Kemi dashur të fillojmë misionin tuaj në Kosovë me ndërmjetësimin e Nënë Terezës, pajtores së kësaj kishe dhe bijës së popullit tonë. Shpresojmë që ajo do t’ju prijë mbarë në ditët e punës dhe përfaqësimit të Atit të Shenjtë pranë vendit tonë”, u shpreh Ipeshkvi.
Nga ana e tij, Delegati Apostolik për Kosovën, Luigj Bardhi, ndau gëzimin për pjesëmarrjen në këtë ngjarje dhe përcolli bekimin e Papa Leonit nga Vatikani.
Shën Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, është humanistja shqiptare më e njohur në botë, fituese e Çmimit Nobel për Paqen. Ajo u shpall e bekuar më 19 tetor 2003 dhe u shenjtërua nga Vatikani në vitin 2016.