
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar rolin e Nënë Terezës me rastin e nëntëvjetorit të shenjtërimit të saj.
Në një postim, Osmani theksoi se Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi. “Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, shkroi Osmani.
Më 5 shtator shënohet jo vetëm shenjtërimi i Nënës Terezë, por edhe përvjetori i vdekjes së saj në vitin 1997.