Apeli i Dhomave të Specializuara rrëzon kërkesën e Isni Kilajt për paraburgim

Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka rrëzuar kërkesën e fundit të Isni Kilajt kundër masës së paraburgimit. Vendimi, i marrë më 1 shtator 2025 nga gjyqtarja Michele Picard, është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky ishte apelimi i katërt i Kilajt për këtë çështje dhe, si në rastet e mëparshme, Apeli ka vendosur që kërkesa e tij të rrëzohet në tërësi. Sipas vendimit, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka bazuar vendimin për paraburgim mbi prova të mjaftueshme dhe të arsyeshme, duke marrë parasysh rrezikun e pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme.
Apeli thekson se janë shqyrtuar edhe periudha e kaluar në paraburgim dhe masat alternative të propozuara nga mbrojtja, por ato nuk janë konsideruar të mjaftueshme për të adresuar rreziqet përkatëse. “Vlerësimi i gjyqtares është në përputhje me jurisprudencën e mëparshme dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut,” thuhet në vendim.
Isni Kilaj kishte argumentuar se gjyqtarja kishte përdorur metodologji të gabuar dhe kishte përsëritur gjetjet e mëparshme, ndërsa Prokuroria ka deklaruar se ndaj tij i është respektuar e drejta për liri.
Ky vendim lidhet me rastin për pengim të administrimit të drejtësisë, ku Kilaj, së bashku me Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në Hagë. Sipas aktakuzës, grupet e përfshira kanë tentuar të pengojnë personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave dhe të ndikojnë mbi dëshmitarët gjatë vizitave jo të lejuara në objektet e paraburgimit.
Ndërkaq, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi rëndojnë akuza për pengim të personit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Hajredin Kuçi akuzohet për dy raste të mosbindjes.