Kosova

Puna jashtë orarit në Kosovë: Çka thotë ligji dhe cilat janë të drejtat e punonjësve?

Puna jashtë orarit të rregullt të punës është një nga temat më të diskutuara nga punonjësit në Kosovë, shpesh e shoqëruar me pakënaqësi. Megjithatë, kjo çështje është e rregulluar me Ligjin e Punës, dhe si punëdhënësit ashtu edhe punonjësit duhet t’i njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre.

Sipas ligjit, orari i plotë i punës është 40 orë në javë, ndërsa për punonjësit nën moshën 18-vjeçare, ai nuk mund të jetë më shumë se 30 orë. Çdo punë përtej këtij orari konsiderohet punë jashtë orarit.

Ligji e lejon këtë lloj pune vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur ka rritje të vëllimit të punës ose situata emergjente, dhe jo më shumë se 8 orë shtesë në javë. Në raste të caktuara, punonjësi mund të punojë orë shtesë edhe me marrëveshje vullnetare me punëdhënësin, por gjithmonë me kompensim shtesë.

Neni 56 i Ligjit të Punës përcakton shpërblimet për punën jashtë orarit:

20% shtesë për kujdestari;

30% shtesë për punë natën;

30% shtesë për punë jashtë orarit;

50% shtesë për punë në ditët e festave;

50% shtesë për punë gjatë fundjavës.

Punonjësit kanë gjithashtu të drejtë që orët shtesë të kompensohen me ditë pushimi, në vend të pagesës.

Ligji parasheh edhe kufizime: punonjësit nën 18 vjeç, ata që punojnë me orar të shkurtuar ose ata tek të cilët puna shtesë ndikon negativisht në shëndet, nuk lejohen të punojnë jashtë orarit.

Një detyrim tjetër i punëdhënësit është shpallja e orarit të punës në vend të dukshëm. Nëse kjo nuk bëhet, punonjësit kanë të drejtë të kërkojnë respektimin e këtij obligimi ligjor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button