Pistorius kritikon von der Leyen për planet e sigurisë në Ukrainë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lidhur me garancitë e sigurisë ushtarake për Ukrainën në kuadër të një zgjidhjeje të mundshme paqeje me Rusinë.
Sipas Financial Times, von der Leyen ka bërë të ditur se janë duke u hartuar “plane të sakta” për dërgimin e një trupe shumëkombëshe në Ukrainë, madje sipas saj këto plane tashmë janë “mjaft të detajuara”.
Por Pistorius u shpreh kundër një diskutimi publik mbi këto çështje, duke e konsideruar atë “krejtësisht të gabuar”.
“Përveç faktit që Bashkimi Evropian nuk ka asnjë autoritet apo kompetencë për dërgimin e trupave – pavarësisht për kë apo për çfarë – unë do të tregohesha i kujdesshëm dhe i përmbajtur përsa i përket komenteve mbi plane të tilla në këtë fazë,” tha ministri gjerman.
Megjithatë, ai pranoi se ekzistojnë diskutime të vazhdueshme mbi mundësitë, kushtet dhe rezervat e mundshme për përfshirjen në Ukrainë, por shtoi se “të diskutosh publikisht për këto gjëra në këtë moment, është krejtësisht e gabuar”.