Kosova

Prishtina dhe Graçanica, qytetarët paralajmërohen të mos pijnë ujë nga rrjeti furnizues

Qytetarët që jetojnë në disa zona të Prishtinës dhe Graçanicës janë udhëzuar që të mos e përdorin ujin për pije, pas rritjes së përqendrimit të manganit në rrjetin shpërndarës të furnizuar nga liqeni akumulues i Badocit.

Në zonat e prekura përfshihen: Graçanica me fshatrat përreth, Hajvalia, Veterniku, Lagjja 038, Lagjja Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, Preoci, Çagllavica, rrugët Behar Begolli, Richard Holbrooke, Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, Lagjja Qershia, Lagjja NIC, Matiçani (drejtimi nga Pallati i Drejtësisë), Fshati Ndërkombëtar, rruga Muharrem Fejza, Enver Maloku, Lagjja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, si dhe zona të tjera si Bregu i Diellit (qendra dhe rreth Albi Mall), shkolla “Ismail Qemali”, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala dhe pjesa “te Xhambazët”.

Sipas komunikatës së përbashkët nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) dhe KRU “Prishtina”, analizat e fundit laboratorike kanë treguar tejkalim të kufijve teknikë të cilësisë së ujit për konsum, për shkak të rritjes së nivelit të manganit.

Edhe pse niveli i manganit nuk ka arritur ende pragun e rrezikshëm për shëndetin, autoritetet kanë paralajmëruar se si masë parandaluese, qytetarët duhet të shmangin përdorimin e ujit për pije deri në njoftimin e radhës.

IKSHPK thekson se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin, pasi bëhet fjalë për ndotje kimike. Uji, megjithatë, mund të përdoret për pastrim, higjienë personale dhe mirëmbajtje të ambientit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button