Kosova

Shqiptarët organizojnë protestë në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Mërgimtarët dhe qytetarët nga Kosova po përgatiten të marrin pjesë në një protestë në Hagë më 14 shtator, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale. Organizatori i protestës, Fatmir Koci, ka bërë të ditur se interesimi për pjesëmarrje është shumë i madh, veçanërisht nga shqiptarët në Evropë, por edhe nga Amerika dhe Australia.

Në një intervistë për InKlan Kosova, Koci tha se leja për organizimin e protestës është marrë nga institucionet holandeze. Ai shtoi se protesta do të jetë e ngjashme me atë të 7 gushtit në Prishtinë, por këtë herë të gjitha pankartat do të jenë në gjuhën angleze, për të transmetuar sa më qartë mesazhin ndaj përfaqësuesve të shteteve perëndimore.

“Jo rastësisht e kemi përzgjedhur datën 14 shtator, pasi më 15 shtator pritet të fillojnë të dëshmojnë zyrtarët amerikanë në krahun e çlirimtarëve tanë,” deklaroi Koci. Ai theksoi se protesta ka për qëllim të tregojë botës demokratike se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë.

Sipas organizatorit, pritet pjesëmarrja e qytetarëve nga shtete të ndryshme të Ballkanit, ndërsa nga Kosova janë bërë tashmë rezervime për të ardhur me autobusë.

Koci u shpreh se si veteranë të luftës e kanë konsideruar si amanet pjesëmarrjen në këtë protestë, në përkrahje të kauzës së ish-krerëve të UÇK-së dhe të lirisë së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button