Kosova

Rritja e çmimit të energjisë rrit kostot e ndërtimit dhe prodhimit në Kosovë

Rritja e çmimit të energjisë elektrike gjatë muajit maj ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të ndërtimit dhe të prodhimit në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, energjia shënoi rritje prej 26.9% në periudhën prill–qershor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti pati rritje prej 5.5%.

Kostot e prodhimit gjithashtu u rritën me 11.3% në raport me vitin e kaluar dhe me 4.1% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, paralajmëroi për një valë të re rritjesh çmimesh, për shkak të detyrimit të bizneseve të mëdha për të dalë në tregun e lirë të energjisë. Sipas tij, kjo do të ketë ndikim zinxhir në të gjitha sektorët e ekonomisë.
“Do të ketë ndikim në të gjitha hallkat e ekonomisë, përfshirë edhe sektorin e tregtisë. Në dy-tre muajt e ardhshëm do të shohim rritje çmimesh, duke e bërë koston e jetesës edhe më të vështirë për qytetarët me të ardhurat aktuale”, tha Zeka.

Bizneset që kanë dalë në tregun e lirë raportuan se faturat e energjisë gjatë korrikut kanë qenë trefish më të larta, duke arritur rreth 200 euro për një megavat, krahasuar me periudhën kur furnizoheshin me çmime të rregulluara.

Lidhur me këtë çështje, Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Supreme, e cila ka pranuar ta shqyrtojë padinë ndaj ZRRE-së, por pa e miratuar masën e përkohshme për pezullimin e njoftimit. Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së.

ZRRE-ja më herët njoftoi se bizneset me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nga 1 qershori, duhet të dalin në tregun e lirë dhe të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button