
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka njoftuar se vendi do të marrë përsëri komandën e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), duke filluar nga tetori 2025 për një mandat njëvjeçar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, kontradmirali Zeki Akturk, konfirmoi se Turqia do të udhëheqë sërish misionin ndërkombëtar, duke theksuar angazhimin e Ankarasë për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin euroatlantik.
“Vendi ynë, i cili ka dhënë kontribute të rëndësishme dhe vendimtare për sigurinë e NATO-s dhe rajonit euroatlantik, do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Detyra do të përmbushet në mënyrë neutrale dhe transparente, në përputhje me rezolutat e NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara,” tha Akturk.
Turqia ishte në krye të KFOR-it edhe gjatë periudhës 2023–2024, ku u vlerësua për rolin e saj në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Aktualisht, KFOR përbëhet nga rreth 4,500 trupa nga 29 vende anëtare dhe joanëtare të NATO-s, ndërsa Turqia ka qenë kontribuese e pandërprerë me trupa që nga themelimi i misionit më 12 qershor 1999.
Udhëheqja e përsëritur e misionit nga Ankaraja vjen në një kohë të ndjeshme për Ballkanin Perëndimor, në sfondin e pasigurive të shtuar pas pushtimit rus të Ukrainës. Përkrahja e Turqisë për paqen dhe ndërmjetësimin në raportet Kosovë–Serbi shihet si një faktor kyç për stabilitetin rajonal.
Akturk bëri të ditur gjithashtu se, për herë të parë në historinë e NATO-s, një gjeneral turk është emëruar Drejtor i Bashkëpunimit për Siguri në Komandën Ushtarake Ndërkombëtare të NATO-s në Bruksel, çka vlerësohet si tregues i rolit në rritje të Turqisë brenda Aleancës.
Në raportet strategjike të NATO-s, Turqia përmendet si një shtyllë kyçe e sigurisë euroatlantike, ndërsa vizita e paralajmëruar e Kancelarit gjerman Friedrich Merz në Ankara dhe deklaratat e zyrtarëve amerikanë për kontributin turk, e theksojnë këtë rol në arkitekturën e mbrojtjes kolektive.