
Pesë muaj pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët në Tiranë, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë kaluar në fazën e konkretizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Ministritë përkatëse kanë zhvilluar një takim trepalësh, ku është diskutuar hartimi i planit për blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Liridona Gashi, ka konfirmuar për RTK-në se takimi tashmë është mbajtur dhe se dokumenti i përbashkët do të nënshkruhet pas finalizimit të planit.
Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, e ka cilësuar marrëveshjen si një hap strategjik, duke theksuar përfitimet financiare dhe logjistike të blerjes së përbashkët. “Kur blejnë tre shtete përnjëherë, kostoja është më e vogël dhe liferimi më i shpejtë,” tha ai.
Edhe ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, e ka vlerësuar partneritetin me SHBA-në si vendimtar për sigurinë dhe të ardhmen e ushtrisë së Kosovës.
Ndërkohë, para dy javësh, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është bërë dorëzim-pranimi i kontingjentit të dytë prej 50 autoblindave të blera nga ushtria amerikane për FSK-në.