DhSK ndalon vizitat e 11 personave te Hashim Thaçi për çështje të administrimit të drejtësisë

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë vendosur më 18 gusht 2025 të ndalojnë vizitat te ish-presidenti Hashim Thaçi për 11 persona, në kuadër të çështjes kundër administrimit të drejtësisë.
Prokuroria kishte kërkuar kufizimin e vizitave për tre vëllezërit e Thaçit, por gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, miratoi kufizimet vetëm për 11 persona të tjerë, përfshirë Artan Behramin, Blerim Shalën, Ismail Sylën, Vllaznim Kryeziun, Milaim Ahmetajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe katër të tjerë, emrat e të cilëve janë të redaktuar.
Sipas vendimit, kufizimet synojnë të parandalojnë zbulimin e informacioneve konfidenciale që lidhen me dëshmitarët e mbrojtur të Prokurorisë. Gjyqtarja theksoi se kufizimet zbatohen vetëm ndaj individëve për të cilët ekzistojnë tregues të besueshëm se kanë marrë pjesë në vizita të paprivilegjuara gjatë të cilave Thaçi ka zbuluar informacion të ndjeshëm.
Prokuroria ka argumentuar se disa nga personat e vizituar më parë kanë marrë udhëzime nga Thaçi për të komunikuar me dëshmitarët dhe se vizitat e tyre mund të pengojnë hetimet. Mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga Sophie Menegon, ka kundërshtuar kufizimet, duke thënë se ato cenojnë të drejtat e tij për jetën private dhe familjen.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe po gjykohet për krime lufte, si dhe për akuzat kundër administrimit të drejtësisë. Për të dhe të tjerët, Prokuroria ka ngritur akuza për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
DhSK ka vendosur që aneksi i kërkesës së Prokurorisë të mbetet konfidencial deri sa të sqarohet nevoja për redaktimin e emrave, për të ruajtur qëllimin e masave mbrojtëse.
Kjo masë përkon me hetimet që lidhen me përpjekjet e Thaçit dhe grupeve të lidhura me të për të ndikuar në dëshmitarët gjatë vizitave jo të privilegjuara në vitin 2023.