Bllokada në konstituimin e Kuvendit: Hulumtuesi i KDI paralajmëron shkelje procedurale dhe mundësi dërgimi në Kushtetuese

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është bllokuar për shkak të mosvotimit të kandidaturës së propozuar nga Lista Serbe për pozitën e nënkryetarit, ndërsa hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, paralajmëron se situata mund të çojë deri në Gjykatën Kushtetuese.
Bugaqku ka theksuar për Ekonomia Online se katër herë radhazi Lista Serbe ka propozuar kandidatin për nënkryetar, por deputetët e Kuvendit kanë hezituar ta votojnë, duke shkelur sipas tij procedurat kushtetuese dhe parlamentare. Ai ka vënë në dukje se kryetari i Kuvendit ka devijuar nga praktika e deritanishme duke përdorur shortin për zgjedhjen e anëtarit të komunitetit serb, në vend që të lejonte votimin normal të kandidaturës së Listës Serbe.
“Procedura e përshpejtuar duket se ka pasur qëllim manovrimin për të favorizuar deputetin Nenad Rashiq, i cili ka vetëm një ulëse në Kuvend dhe nuk përfaqëson shumicën e komunitetit serb,” tha Bugaqku.
Ai ka sugjeruar që në seancën e ardhshme të përsëritet votimi për nënkryetarët e komuniteteve jo shumicë, fillimisht për kandidaturën e Listës Serbe dhe më pas për partitë tjera jo shumicë, sipas praktikës së deritanishme dhe Kushtetutës.
Bugaqku paralajmëron se, nëse refuzimi i kandidaturës së Listës Serbe vazhdon, kjo parti ka bazë ligjore për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim mbi të drejtat e përfaqësimit të komunitetit serb në kryesinë e Kuvendit.
Pa reflektim nga partitë shqiptare, sipas tij, bllokada politike mund të thellohet dhe procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë të ngecë.