Paraburgim për një muaj ndaj Lubisha Milkoviq, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar dhe Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Lubisha Milkoviq, i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë protestave në Zveçan më 29 maj 2023.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, Milkoviq dyshohet se në koordinim me persona të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia ka marrë pjesë aktive në turmat që përdorën dhunë me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri kundër forcave të rendit dhe trupave paqeruajtës.
Nga këto veprime, sipas Prokurorisë, janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it – tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit – si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Po ashtu, u shkaktuan dëme të mëdha materiale në automjetet e KFOR-it, Policisë dhe veturat e gazetarëve, duke përfshirë edhe djegien e disa prej tyre.
Milkoviq dyshohet për disa vepra penale, përfshirë:
“Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues”,
“Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”,
“Sulmi ndaj personit zyrtar”, si dhe
“Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Prokuroria pretendon se me këto veprime është rrezikuar seriozisht jeta dhe siguria e pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të tjerë, ndërsa paraburgimi ndaj Milkoviqit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes dhe ndikimit në dëshmitarë.