
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, i cili kërkonte rrëzimin e disa akuzave në bazë të Rregullës 130.
Mbrojtja argumentoi se konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar më 20 qershor 1999, me tërheqjen e forcave serbe, duke theksuar se pas kësaj date nuk ka prova për veprime që të përmbushin kriteret e një konflikti të armatosur. Sipas tyre, Prokuroria nuk solli dëshmi bindëse pas 739 orësh dëshmi dhe mbi 8 mijë dokumenteve të paraqitura.
Megjithatë, trupi gjykues vendosi më 16 korrik 2025 se nuk ka autoritet të heqë pjesë të akuzës që lidhen me çështje kohore, duke e rrëzuar mocionin.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e dorëzuar nga Prokuroria Speciale më 2022, përmban 10 pika akuzash për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.