Kosova

Vonesa e subvencioneve dhe teksteve shkollore shqetëson familjet përpara fillimit të vitit të ri shkollor

Vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, ende nuk janë ndarë mjetet për subvencionimin e nxënësve, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për datën e ekzekutimit të pagesave për prindërit dhe kujdestarët që kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka publikuar vetëm të dhëna mbi numrin e aplikimeve, pa specifikuar kur pritet të shpërndahen fondet. Kjo situatë po shqetëson shumë familje, veçanërisht për shkak të afërsisë me fillimin e shkollës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka ngritur shqetësime për vonesat me tekstet shkollore. Ai ka thënë se problemi mund të përsëritet si vitet e kaluara, kur nxënësit humbën më shumë se një muaj mësim duke pritur librat e nevojshëm.

“Ministrja në shkuarje, z. Arbërie Nagavci, bashkë me stafin e saj, përsëriti gabimin e mëparshëm. Ka pasur telashe me xhirollogari të bllokuara dhe probleme të ndryshme me tekstet shkollore. Një varg problemesh do të përsëriten edhe tani”, tha Jasharaj.

Ai shtoi se mësimdhënësit mund të përballen me vështirësi nëse nxënësit nuk furnizohen me libra në kohë. “Shpërndarja e të hollave është vonuar dhe dedikuar për tekstet shkollore. Mësimdhënësit nuk mund të fillojnë mësimin derisa të gjithë nxënësit të furnizohen me libra”, theksoi Jasharaj.

Situata mbetet e pasigurt, ndërsa prindërit shprehin shqetësim për përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe mundësinë që vonesat të ndikojnë në procesin mësimor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button