Kosova

Diaspora e Kosovës, burim kapitali i rëndësishëm, por sfidat mbeten

Diaspora e Kosovës shihet si një burim i madh kapitali për zhvillimin ekonomik të vendit, por nisma e Qeverisë për t’i mbështetur investimet e saj, “Dritarja e Investimeve”, po përballet me histori suksesi dhe sfida të dukshme.

Kompania ReachteQ LLC, themeluar nga Erblin Lekaj, i rritur në Gjermani, është një nga 19 bizneset e diasporës që kanë përfituar mbështetje nga kjo iniciativë. Kompania merret me dizajnimin dhe prodhimin e veglave për sektorin e ndërtimtarisë, duke siguruar kushte më të sigurta pune. Falë garancisë së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Lekaj ka siguruar një kredi trevjeçare në një bankë komerciale pa pasur nevojë të vendosë kapital privat.

“Nga muaji tetor do të rrisim prodhimin dhe planifikojmë ta zgjerom fabrikën dhe të punësojmë më shumë njerëz, për të eksportuar veglat në Gjermani”, thotë Lekaj. Ai është kthyer në Kosovë bashkë me familjen, pas rritjes së aktivitetit të biznesit.

Sipas FKGK-së, deri më tani janë ndarë 22 kredi për 19 biznese me vlerë totale prej 3.8 milionë eurosh, nga të cilat 2.8 milionë janë garantuar nga Fondi. Investimet më të mëdha janë në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore (1.5 milion euro) dhe industria e prodhimit (1.2 milion euro).

Por jo të gjitha janë të lehta. Naim Dedushaj, nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Diasporë, thotë se interesimi i diasporës është i ulët për shkak të mungesës së koordinimit dhe dokumentacionit të komplikuar. “Shumë banka nuk kanë ditur të shpjegojnë qartë procedurat për investitorët e diasporës”, thekson Dedushaj.

Lirim Krasniqi nga organizata Germin thotë se programi nuk është transparent dhe mungesa e statistikave të qarta rrit mosbesimin te investitorët. “Duhet të publikohen numri i aplikimeve, fondet e garantuara dhe vendet e punës të krijuara”, shton ai.

Ndërkohë, mbyllja e aktiviteteve të USAID-it ka ndikuar në rezervimin e diasporës për të investuar në Kosovë, pasi grante dhe shërbime këshilluese për investitorët nuk janë më të disponueshme.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në diasporë jetojnë rreth 550 mijë persona me prejardhje nga Kosova. Vitin e kaluar, remitencat nga diaspora arritën mbi 1.3 miliard euro, ndërsa investimet direkte në Kosovë në vitin 2024 ishin 850 mijë euro, kryesisht në sektorin e patundshmërive.

Pavarësisht sfidave, potenciali i diasporës mbetet i jashtëzakonshëm për forcimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button