Kosova
Kapet person në Podujevë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandë me gjedhe

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është kapur në fshatin Dumnicë pasi kishte kaluar në mënyrë të paligjshme vijën kufitare nga Serbia në Kosovë, duke përdorur rrugë ilegale.
Sipas raportit të policisë, i dyshuari, një mashkull kosovar, ishte duke transportuar pesë gjedhe të pa matrikuluara në kamionin e tij. Njësitë policore, në bashkëpunim me inspektorët e Administratës së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), kanë ndaluar transportin dhe kanë sekuestruar kamionin me ngarkesën. Materialet e sekuestruara janë dorëzuar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe kundër tij mund të ndiqen veprimet ligjore të nevojshme.