Kosova

Mbi 1,400 biznese të shkëputura nga energjia elektrike për shkak të tregut të lirë, veri i Kosovës përjashtohet

Mbi 1,400 biznese në disa komuna të Kosovës janë shkëputur nga rrjeti i energjisë elektrike pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili obligon kompanitë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë.

Megjithatë, katër komunat veriore furnizohen nga kompania “Elektrosever” dhe nuk janë përfshirë në këtë proces, pasi kjo kompani nuk i nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE. Ekspertët dhe avokatët e ekonomisë e konsiderojnë këtë si një vendim diskriminues, duke theksuar se Ligji për Energjinë Elektrike zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës dhe Kushtetuta garanton mosdiskriminimin territorial.

Eksperti i ekonomisë Kushtrim Ajvazi tha se bizneset në veri përfitojnë çmime më të ulëta, ndërsa ato në pjesët tjera po përballen me fatura deri në trefish më të larta. Avokati Ardian Bajraktari shtoi se çdo përjashtim i ndonjë komuniteti apo komune është i natyrës diskriminuese dhe duhet të trajtohet nga gjykatat.

ZRRE ka deklaruar se çdo konsumator ka të drejtë të zgjedhë ose të ndryshojë furnizuesin e energjisë elektrike, ndërsa Elektrosever vepron si furnizues komercial vetëm për zonën veriore dhe nuk ka obligime të shërbimit publik.

Në pjesën jugore, më 16 gusht, mbi 90% e bizneseve të mëdha u shkyçën nga rrjeti për shkak të moszgjedhjes së një operatori energjetik. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Oda Ekonomike dhe partitë politike si PDK dhe LDK kanë reaguar, duke kërkuar pezullimin e vendimit dhe nisjen e një procesi të rishqyrtimit transparent. Bizneset paralajmërojnë se vendimi rrezikon largimin e punëtorëve, uljen e prodhimit dhe rritjen e importit.

Qeveria e Kosovës, deri tani, nuk ka marrë parasysh kërkesat për shtyrje të vendimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button