
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e certifikoi Listën Srpska, partinë më të madhe serbe në Kosovë, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kundër certifikimit votuan anëtarët e Vetëvendosjes, ndërsa partitë e tjera abstenuan. Rezultati ishte 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.
Vendimi ka nxitur reagime ndërkombëtare. Ambasadat e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, paralajmëruan se çdo përjashtim i komuniteteve të caktuara minon parimet demokratike dhe besimin në institucionet e vendit.
BE-ja u shpreh e zhgënjyer nga qëndrimi i Vetëvendosjes dhe theksoi se pjesëmarrja gjithëpërfshirëse e komuniteteve serbe është thelbësore për zgjedhjet dhe marrëdhëniet e ardhshme midis Kosovës dhe BE-së.
E Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane, Anu Prattipati, kishte paralajmëruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për rëndësinë e përfshirjes së serbëve në proces, por vendimi i KQZ-së u mor pavarësisht rekomandimeve ndërkombëtare.
Ekspertët paralajmërojnë se vendimi i KQZ-së pritet të rrëzohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), siç ka ndodhur edhe më herët për Listën Srpska në zgjedhjet parlamentare të shkurtit. Kreu i partisë, Zllatan Elek, e konsideroi këtë veprim si një përpjekje për “ndarjen e trupit politik serb”.