Kuvendi i Kosovës dështon sërish të konstituohet, ambasada gjermane u bën thirrje deputetëve për kompromis

Pas tri javësh pushim, deputetët e Kuvendit të Kosovës u rikthyen në sallën plenare, por edhe këtë herë nuk arritën të japin rezultat. Seanca e parë pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese përfundoi pa vendim, duke shënuar kështu dështimin e 55-të radhazi për funksionalizimin e legjislativit.
Aktgjykimin e Kushtetueses e ka komentuar edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Përmes një reagimi për Televizionin 1, kjo ambasadë ka vlerësuar se tani është koha që politikanët të gjejnë kompromisin e duhur për të çuar vendin përpara.
“Ne e vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim procedural. Tani politikanët duhet të veprojnë në përputhje me rrethanat, në mënyrë që kosovarët më në fund të kenë parlamentin për të cilin votuan gjysmë viti më parë. Ne presim një zgjidhje të realizueshme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të veprojnë drejt një kompromisi”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, bllokada politike po vazhdon të mbajë të paralizuar institucionin më të lartë përfaqësues të vendit, duke shtuar pasigurinë për zhvillimet politike në javët në vijim.