KQZ sot certifikon subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mbajë sot nga ora 17:00 mbledhjen e radhës, ku në rend dite është certifikimi i mijëra kandidatëve të partive politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se në këtë mbledhje do të shqyrtohet grupi i katërt prej 36 subjektesh politike që pritet të certifikohen për garën në komunat e Kosovës. Deri tani, KQZ ka certifikuar 58 subjekte politike – prej tyre 31 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur – me gjithsej 510 kandidatë, përfshirë 34 për kryetarë komunash dhe 476 për asamble komunale.
Në rend dite është edhe vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka kërkuar që KQZ të certifikojë pjesëmarrjen e subjektit politik “Lidhja e Prishtinës”.
Sipas listës së publikuar nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, në mesin e partive të rekomanduara për certifikim janë: Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK, Nisma Socialdemokrate, AKR, GUXO, Alternativa, PSD, si dhe subjektet e komuniteteve si Srpska Lista, KDTP, Nova Demokratska Stranka, Koalicioni Vakat, Bošnjačka Stranka Kosova e të tjera.
Në total, për certifikim janë rekomanduar 36 subjekte politike, përfshirë iniciativa qytetare, parti të reja, si dhe koalicione të ndryshme që synojnë garimin në zgjedhjet lokale të vjeshtës.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit në kuvendet komunale.