Gjermania: Infeksionet e zakonshme shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin për shkak të rezistencës ndaj trajtimeve

Infeksionet që rezistojnë ndaj antibiotikëve vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për shëndetin publik në Gjermani, duke kontribuar në dhjetëra mijëra vdekje çdo vit. Kështu thuhet në një studim të përbashkët të Institutit Robert Koch (RKI), Universitetit të Uashingtonit dhe institucioneve të tjera kërkimore.
Analiza, e publikuar në revistën Journal of Antimicrobial Chemotherapy – Antimicrobial Resistance, tregon se në vitin 2019, afërsisht 45.700 persona në Gjermani vdiqën si pasojë e infeksioneve nga patogjenët rezistentë ndaj antibiotikëve. Nga këto, rreth 9.600 vdekje mund t’i atribuoheshin drejtpërdrejt rezistencës, duke nënkuptuar se pacientët mund të kishin mbijetuar nëse bakteret nuk do të ishin rezistente.
Infeksionet e gjakut, të rrugëve të frymëmarrjes dhe ato abdominale u identifikuan si forma më të zakonshme fatale të këtyre infeksioneve.
RKI, institucioni kryesor epidemiologjik në Gjermani, paralajmëroi se rezistenca ndaj antibiotikëve është “një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale të kohës sonë”. Instituti theksoi se përdorimi i tepruar i antibiotikëve, trajtimet e gjata dhe përshkrimet jo të duhura nga mjekët kontribuojnë në përhapjen e rezistencës.
Ekspertët e RKI-së bëjnë thirrje për masa më të fuqishme parandalimi dhe kontrolli, duke nënvizuar se përdorimi i kujdesshëm i antibiotikëve është kyç për frenimin e kësaj krize shëndetësore.