Oda e Afarizmit ngre shqetësime për humbjet e bizneseve pas daljes në tregun e lirë të energjisë

Drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka ngritur shqetësime lidhur me pasojat që po përjetojnë bizneset pas kalimit në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Në një prononcim për “Front Online”, Ahmeti tha se ende nuk ka të dhëna të sakta për shkallën e humbjeve, pasi secili biznes përballet me specifika të ndryshme.
“Ende nuk dihet saktë se sa janë humbjet, sepse secili biznes është ndryshe nga tjetri. Të shtunën ju kanë shkuar me polici në mënyrë të dhunshme, thuajse po e këputin një hajn të rrymës e jo një biznes që e ka paguar vazhdimisht”, deklaroi ai.
Ahmeti theksoi gjithashtu mungesën e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara nga ndërprerjet dhe rikëqjet e vonuara.
“Për me bërë rikyçjen duhet të paguhet një kosto shtesë dhe bëhet kur të donë KEDS dhe arritja e marrëveshjes. Disa biznese janë në pritje të përgjigjes së Komerciales, por kush do t’i mbulojë dëmet që po ju bëhen bizneseve?”, u shpreh ai.
Sipas Odës së Afarizmit, situata aktuale po krijon vështirësi të mëdha për sektorin privat, duke rrezikuar aktivitetin e përditshëm të kompanive.