BQK: Depozitat dhe asetet arrijnë nivel rekord në korrik 2025

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se deri më 31 korrik 2025, depozitat e mbajtura në këtë institucion kanë arritur në 1.58 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 64.69 milionë eurosh krahasuar me muajin paraprak.
Sipas të dhënave, nga kjo shumë:
- 636.33 milionë euro janë nga Buxheti i Republikës së Kosovës,
- 616.99 milionë euro nga bankat komerciale,
- 186.95 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP),
- ndërsa 135.64 milionë euro nga burime të tjera.
Po ashtu, asetet e BQK-së në fund të korrikut arritën në 1.86 miliardë euro, duke u rritur me 68.71 milionë euro në krahasim me muajin qershor. Rritja është kryesisht rezultat i shtimit të depozitave të Thesarit të Shtetit, AKP-së, fondeve pensionale dhe Fondit për Sigurimin e Depozitave.
Nga gjithsej asetet, investimet në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit kapën shumën 1.39 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 70.64 milionë eurosh. Në këtë kuadër, investimet në depozita u rritën për 101.39 milionë euro, ndërsa ato në letra me vlerë u ulën për 30.76 milionë euro.
Kapitali i BQK-së deri më 31 korrik ishte 118.77 milionë euro, ndërsa asetet e rezervës ndërkombëtare u rritën në 1.46 miliardë euro, një shtim prej 50.4 milionë eurosh krahasuar me muajin paraprak. Ky ndryshim ka ardhur kryesisht nga rritja e depozitave për 77.4 milionë euro, teksa investimet në letra me vlerë u zvogëluan për 28.6 milionë euro.