KQZ certifikon mbi 500 kandidatë për zgjedhjet lokale, 46 subjekte ende në pritje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar deri më tani 58 subjekte politike dhe mbi 500 kandidatë që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë. Ndërkohë, 46 subjekte të tjera janë ende në pritje të vendimmarrjes së këtij institucioni.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, nga 104 subjekte që kanë aplikuar, 33 janë parti politike, dy koalicione, një iniciativë qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur që ende nuk janë shqyrtuar.
“KQZ po vazhdon procesin e certifikimit dhe këtë javë pritet të vendosë për pjesën më të madhe të kandidatëve të mbetur. Pas verifikimit ligjor të përshtatshmërisë së tyre në bashkëpunim me institucionet shtetërore, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar do të përgatisë rekomandimet për mbledhjen e KQZ-së, ku do të merren vendimet finale,” tha Elezi.
Nga 58 subjekte të certifikuara, 31 janë iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i kandidatëve përfshin 34 për kryetarë të komunave dhe 476 për anëtarë të kuvendeve komunale.
Dy iniciativa qytetare janë refuzuar: “Lidhja e Prishtinës”, për shkak të ngjashmërisë me emrin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të një gabimi drejtshkrimor.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet nëse është funksionar me status të veçantë, anëtar i shërbimit të jashtëm, i dënuar kohët e fundit për vepër penale, ose ka shkelur vendimet e PZAP-it ose KQZ-së.
Zgjedhjet lokale në Kosovë janë caktuar për t’u mbajtur më 12 tetor.