Kosova

Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vijojnë betejën me zjarret pyjore

Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po përballen me dhjetëra vatra zjarri të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe thatësira e zgjatur, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe njësitë emergjente janë angazhuar maksimalisht për t’i vënë nën kontroll flakët.

Vetëm në dy ditët e fundit, Kosova ka regjistruar 57 vatra zjarri, prej të cilave 46 janë lokalizuar, ndërsa 11 mbeten ende aktive. Agjencia për Menaxhimin Emergjent bëri të ditur se menaxhimi i situatës po zhvillohet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Drejtori i saj, Genc Metaj, theksoi se ditët e fundit janë raportuar gjithsej 633 raste zjarresh në territorin e vendit, një shifër më e lartë krahasuar me gushtin e vitit 2024.

Edhe Maqedonia e Veriut po përballet me situatë të ngjashme. Autoritetet raportuan se deri në mesditën e sotme janë regjistruar dhjetë zjarre në hapësirë të hapur, prej të cilëve gjashtë janë ende aktive. Zjarret më problematike ndodhen në Lojane, Tabanoc, zonën Jasen, si dhe në fshatrat Bekirlija, Romanovcë dhe Sllupçan. Ndërkohë, një vatër në Komunën Jegunovcë është vënë nën kontroll.

Në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes raportoi 34 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, ku 27 janë shuar, pesë mbeten aktive dhe dy po monitorohen. Për shuarjen e tyre janë angazhuar 690 forca operacionale, 54 automjete zjarrfikëse, 110 trupa të Forcave të Armatosura me dy mjete zjarrfikëse, si dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare e një helikopter nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet e tre vendeve bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre zjarri, duke theksuar se ndërhyrja e shpejtë është thelbësore për parandalimin e pasojave më të rënda.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button