Rajoni

Maqedonia e Veriut shpenzoi mbi 6 milionë euro për projekte të inteligjencës artificiale, por asnjë nuk u zbatua në sektorin publik

Edhe pse inteligjenca artificiale është kthyer në prioritet global, Maqedonia e Veriut ende nuk ka kuadër ligjor, strategji kombëtare apo koordinim institucional për zbatimin e saj. Kështu thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Auditimit (ESA), sipas të cilit nga viti 2018 deri në vitin 2023 janë shpenzuar mbi 6 milionë euro për 48 projekte të lidhura me inteligjencën artificiale, por asnjëri nuk është implementuar në sektorin publik.

Nga 48 projektet e bashkëfinancuara, pesë janë mbështetur nga Banka Botërore, pesë nga fondet e përbashkëta të Bankës dhe qeverisë, ndërsa 38 të tjera janë financuar nga buxheti i shtetit. Projektet kanë përfshirë fusha si aviacioni, agroindustria, shëndetësia, financat, arsimi dhe energjetika.

Megjithatë, auditorët konstatojnë se sektori publik nuk është i përgatitur për përdorimin e IA-së, për shkak të mungesës së kornizës ligjore, buxhetit të dedikuar dhe stafit të kualifikuar.

Një prej projekteve që dështoi ishte asistenti digjital ADA, promovuar në vitin 2023 nga qeveria e Dimitar Kovaçevskit me investim prej 150 mijë eurosh. Ai synonte të ndihmonte kompanitë për informim mbi mundësitë e investimit, por aplikacioni u ndërpre vetëm dy vite më pas, për shkak të moszgjatjes së kontratës me operatorin privat.

Gjithashtu, edhe projekti i paralajmëruar për ndërtimin e “Teknologjia Park” në Shkup nuk ka nisur, ndërsa portali i të dhënave të hapura, i funksionalizuar në vitin 2018, ka dalë jashtë funksionit që nga fillimi i vitit 2025.

Aktualisht, inteligjenca artificiale përdoret vetëm në mënyrë të kufizuar në kuadër të një projekti pilot për numrin emergjent 112, ku testohen analiza dhe përkthime në kohë reale, por zbatimi i plotë pengohet nga mungesa e fondeve dhe rregulloreve.

Raporti thekson gjithashtu se investimet në infrastrukturën e TIK-ut në vend janë të papërfillshme. Ndërsa 97% e popullsisë mbulohet nga rrjeti 5G, mungojnë superkompjuterët, qendrat moderne të të dhënave dhe sistemet për përpunimin e të dhënave të mëdha.

Në nivel rajonal, vetëm Sllovenia ka strategji kombëtare për inteligjencën artificiale, ndërsa Maqedonia e Veriut pozicionohet pas saj, përpara Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërkohë, sipas indeksit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për gatishmërinë për IA, vendi renditet i 77-ti nga 174 shtete.

Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka miratuar Ligjin për Inteligjencën Artificiale në vitin 2024, ESA rekomandon që Maqedonia e Veriut të përmirësojë infrastrukturën digjitale, kapitalin njerëzor dhe kornizën ligjore për të mos mbetur prapa në këtë fushë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button