Fundjava sjell ndryshime të motit, rënie temperaturash ditën e hënë

Pas një jave me temperatura të larta, fundjava pritet të sjellë ndryshime të dukshme në kushte atmosferike në vend.
Të shtunën, moti parashihet me vranësira kalimtare dhe intervale me diell. Pasdite vonë, përreth zonave malore priten zhvillime të rrebesheve të shiut të shoqëruara me bubullima. Temperaturat minimale do të luhaten nga 16°C deri në 19°C, ndërsa ato maksimale nga 32°C deri në 35°C. Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja me shpejtësi 5-11 m/s.
Të dielën, orëve të pasdites, pritet të ketë rrebeshe shiu dhe bubullima, fillimisht në zonat malore, që më vonë mund të përhapen edhe në pjesë të tjera të vendit.
Ditën e hënë, reshjet do të jenë më të përhapura. Temperaturat maksimale do të pësojnë rënie të ndjeshme, duke zbritur në 25°C deri 26°C, ndërsa minimalet do të ulen në 12°C deri 13°C.
Nga e marta, moti pritet të stabilizohet me më shumë intervale me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje graduale, duke arritur deri në 31°C – 33°C ditën e mërkurë. Erërat do të fryjnë nga verilindja me shpejtësi 5-12 m/s.