Kosova

Dhoma e Tregtisë kërkon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka reaguar pas aktvendimit të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, duke e cilësuar si sfidues për bizneset, të cilat kishin pritur një vendim të drejtë, siç kishte vepruar Shkalla e Parë.

Në reagim, DHTIK vlerëson se afati i vendosur nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) deri më 16 gusht për nënshkrimin e kontratave të furnizimit është tepër i shkurtër dhe krijon probleme për qindra biznese që ende nuk kanë kontrata me kompani të licencuara.

Sipas DHTIK, një numër i madh kompanish janë në pritje të vendimit përfundimtar nga gjykatat, ndërsa të tjera po përgatisin ankesa në instanca të tjera, përfshirë Gjykatën Kushtetuese. Dhoma ka kërkuar nga ZRRE pezullimin e vendimit për liberalizimin e tregut deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

“Forma e zgjedhur nga ZRRE për realizimin e liberalizimit është e gabuar dhe e dëmshme për qytetarët dhe ekonominë. Ky hap rrezikon vende pune, ul kapacitetet prodhuese, konkurrueshmërinë dhe mund të çojë në mbylljen e bizneseve,” thuhet në reagimin e DHTIK.

Nga ana tjetër, ZRRE ka njoftuar sot se, duke filluar nga 16 gushti, konsumatorëve që nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale me furnizues të licencuar në tregun e lirë do t’u ndërpritet furnizimi me energji elektrike. Ky vendim vjen pas refuzimit nga Gjykata Komerciale – Shkalla e Dytë, për të shtyrë procesin e liberalizimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button