SHBA dhe Kina zgjasin me 90 ditë armëpushimin tregtar

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të zgjasin edhe për 90 ditë armëpushimin tregtar, vetëm pak orë përpara se të hynin në fuqi tarifa më të larta mes dy vendeve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi të hënën një urdhër ekzekutiv për zgjatjen e marrëveshjes deri më 10 nëntor, ndërsa Pekini njoftoi se do të vazhdojë pezullimin e tarifave të tij më të larta ndaj Uashingtonit.
Sipas marrëveshjes, SHBA do të mbajnë tarifat aktuale prej 30% mbi importet kineze, ndërsa Kina do të ruajë tarifat prej 10% mbi mallrat amerikane. Më herët këtë vit, Uashingtoni kishte paralajmëruar tarifa deri në 145% për mallrat kineze, ndërsa Pekini kishte kërcënuar me 125% për mallrat amerikane.
Zgjatja e armëpushimit, sipas Shtëpisë së Bardhë, synon të krijojë hapësirë për negociata mbi “korrigjimin e pabarazive tregtare” dhe “praktikat e padrejta”, teksa SHBA shënoi një deficit tregtar prej gati 300 miliardë dollarësh me Kinën në vitin 2024. Bisedimet do të fokusohen gjithashtu në zgjerimin e aksesit për eksportuesit amerikanë dhe në çështje të sigurisë kombëtare e ekonomike.
Tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë u përshkallëzuan në prill, kur Trump vendosi tarifa të gjera mbi mallrat e importuara, përfshirë ato kineze, duke shkaktuar kundërpërgjigjen e Pekinit dhe një luftë tregtare që u zbut përkohësisht pas marrëveshjes së majit në Gjenevë.
Aktualisht, negociatat vazhdojnë mbi çështje kyçe si aksesin në mineralet e rralla të Kinës, blerjet e naftës ruse dhe kufizimet amerikane mbi teknologjitë e avancuara.