Kosova

Qytetarët e Kosovës rrisin huamarrjen – 1.2 miliardë euro kredi të reja në pesë muajt e parë të 2025

Qytetarët e Kosovës kanë marrë kredi të reja në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh në periudhën janar–maj 2025, duke shënuar një rritje prej 200 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), totali i kredive aktive në fund të majit ka arritur në 6.3 miliardë euro, nga 5.2 miliardë euro në maj 2024 – një rritje vjetore prej 20.9%.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja mbetet 6.0%, çka sipas njohësve të ekonomisë është e lartë dhe kërkon ndërhyrje nga ekzekutivi dhe BQK. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e konsideron rritjen e huamarrjes nga familjet si sinjal negativ, pasi tregon varësi në rritje ndaj kredive për mbulimin e shpenzimeve bazë.

Edhe depozitat bankare kanë shënuar rritje të ndjeshme. Gjatë pesëmujorit të parë të vitit, qytetarët kanë depozituar 480.9 milionë euro, mbi 133 milionë më shumë se një vit më parë. Sipas ekspertëve, rritja e depozitave lidhet kryesisht me mjetet e dërguara nga diaspora, ndërsa investimet në patundshmëri kanë rënë.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, thekson se rritja e kredive dhe depozitave tregon për një tensionim të gjendjes ekonomike, ku qytetarët dhe bizneset i drejtohen kredive për të përballuar nevoja afatshkurtra, ndërsa mungesa e funksionimit institucional po rëndon situatën.

Në të njëjtën kohë, qytetarët shprehen se marrja e kredive shpesh është e pashmangshme për shkak të vështirësive financiare. “Kredia nuk është e vogël kurrë, veç zori”, thotë Ejup Musolli, një prej tyre.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button