Pritje të gjata në kufi: Dheu i Bardhë dhe Merdara ndër pikat më të ngarkuara

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka njoftuar se qarkullimi në shumicën e pikave kufitare po zhvillohet normalisht dhe është i menaxhueshëm, megjithatë në vendkalimet Dheu i Bardhë dhe Merdarë janë shënuar vonesa të konsiderueshme, sidomos për automjetet në dalje nga Kosova.
Në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, pritjet në dalje janë rritur ndjeshëm. Shoferët po detyrohen të presin mesatarisht 90 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur deri në 800 metra. Në kahun hyrës, situata është shumë më e qetë, me pritje prej vetëm 5 minutash.
Edhe në Merdarë janë raportuar vonesa të ndjeshme për automjetet në dalje, me pritje që shkojnë nga 15 deri në 20 minuta dhe kolonë rreth 150 metra. Ndërkohë, hyrja po funksionon normalisht, me pritje 3 deri në 5 minuta.
Situata është më e lehtësuar në Bërnjak, ku nuk ka kolona, ndërsa pritjet për të hyrë apo dalë janë vetëm 3 deri në 5 minuta, si për automjetet ashtu edhe për kamionët.
Në Jarinjë, hyrja për automjetet është më e ngarkuara pas Dheut të Bardhë, me kohë pritjeje 10 deri në 15 minuta, ndërsa në dalje pritjet janë më të shkurtëra, rreth 5 minuta.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje udhëtarëve që të planifikojnë kohën e tyre të udhëtimit duke marrë parasysh këto vonesa dhe të shfrytëzojnë pikat më pak të ngarkuara kur është e mundur.